Thirrje për aplikim: Ekspert lokal për hartimin dhe ofrimin e trajnimit dy-ditor për ‘Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm’

Tuesday 2 October 2018

Termat e Referencës

“SHËNDETI DHE ZHVILLIMI GJATË FËMIJËRISË SË HERSHME TEK GRUPET E NDJESHME NË KOSOVË”

 

Ekspert lokal për hartimin dhe ofrimin e trajnimit dy-ditor për ‘Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm’

Historiku

“Save the Children” është organizatë e pavarur për fëmijë, lidere në botë. Ne punojmë në rreth 120 vende për të inspiruar ndryshime në mënyrën se si bota i trajton fëmijët dhe për të arritur ndryshime të menjëhershme dhe afatgjata në jetën e tyre. “Save the Children në Kosovë” (SCiK) punon në intervenime direkte dhe në krijimin e praktikave të mira, ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile dhe të bartësve lokalë të detyrave për t'iu përgjigjur nevojave të fëmijëve.

Në fushën e shëndetësisë, SCiK fokusohet në Kujdesin dhe Zhvillimin e Hershëm të Fëmijës. Nëpërmjet programit në shëndetësi dhe ushqyeshmëri, synojmë të luajmë një rol aktiv për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin dhe përcaktuesit e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve të moshës 0-6 vjeç, në veçanti fëmijëve nga komunitetet vulnerabël në Kosovë: fëmijët e varfër, ruralë dhe të margjinalizuar. Fushatat tona të ndërgjegjësimit publik synojnë të formësojnë perceptimet, qëndrimet, traditat, zakonet, sjelljet dhe praktikat sociale mbi shëndetin dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës. SCiK punon në partneritet, duke filluar me partnerët vendorë, Ministrinë e Shëndetësisë, Departamentet Komunale të Shëndetësisë, Arsimit dhe Mirëqenien Sociale, shkollat, kopshtet, prindërit dhe fëmijët. SCiK punon me autoritetet qendrore dhe komunale në promovimin e integrimit të shërbimeve që ofrohen nga departamente të ndryshme (arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale) dhe në stimulimin e pjesëmarrjes aktive të prindërve dhe komuniteteve, me qëllim të sigurimit të pronësisë dhe qëndrueshmërisë lokale.

 

Informata të përgjithshme për projektin

 “Shëndeti dhe zhvillimi gjatë fëmijërisë së hershme tek grupet e ndjeshme në Kosovë” është një projekt tre-vjeçar (2016-2018), i mbështetur nga Lotterie Fond, Kantoni  i Cyrihut, përmes Save the Children në Zvicër.

Përmes këtij projekti, SCiK synon përmirësimin e shëndetit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme, përmirësimin e praktikave të kujdesit për fëmijë të vegjël (0-6 vjeç) në Kosovë, përmes rritjes së qasjes në:

 

a)       shërbimet shëndetësore bazike dhe shërbimet arsimore parashkollore,

b)      programet e zhvillimit të fëmijërisë së hershme, 

c)       angazhimit dhe  mbështetjes më të mirë prindërore, si dhe

d)      mbështetjes në të mësuarit në shtëpi, qendrat dhe shkollat që promovojnë zhvillimin kognitiv, socio-emocional, gjuhësor dhe fizik të fëmijëve.

 

Grupet e synuara në këtë projekt janë: ofruesit e shërbimeve shëndetësore, edukative dhe sociale, prindërit e rinj dhe gratë shtatzëna.

 

Objektiva e angazhimit:

Në kuadër të këtij projekti parashihet të realizohen trajnime për ofruesit e shërbimeve parësore të kujdesit shëndetësor, edukativ dhe social për fëmijët e moshës 0-6 vjeçare. Rrjedhimisht, SCiK, në bashkëpunim me punonjësit shëndetësorë në kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF-ve) nga komuna e Mitrovicës, Klinës dhe Junikut, ka identifikuar trajnimin “Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm” si trajnim i rëndësishëm për profesionistët shëndetësorë në Kujdesin Primar Shëndetësor (KPSH) dhe palët e tjera të interesit. Ky trajnim do të përforcojë dhe rifreskojë njohuritë e pjesëmarrësve rreth autizmit dhe përkujdesjes së nevojshme ndaj fëmijëve me ҫrregulllime të spektrit të autizmit.

Në kuadër të projektit “Shëndeti dhe zhvillimi gjatë fëmijërisë së hershme tek grupet e ndjeshme në Kosovë”, SCiK kërkon të angazhojë një (1) ekspert lokal me eksperiencë ne fushën e autizmit  që të përgatisë dhe realizojë trajnimin dy-ditor për profesionistët shëndetësorë në Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSH) dhe palët e tjera të interesit.

 

Detyrat, përgjegjësitë dhe kohëzgjatja:

-          Të realizojë trajnimin “Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm” brenda orarit të caktuar nga SCiK;

-          Të përgatisë planin e detajuar të realizimit të trajnimit dy ditor;

-          Të përgatisë materialin në PowerPoint  dhe materialet përcjellëse për  pjesëmarrësit  në trajnim;

-          Të bëjë vlerësimin e rritjes së njohurive  të pjesëmarrësve me formularë përkatës;

-          Të përgatisë raportin përfundimtar mbi trajnimin e realizuar dhe ta dorëzojë për aprovim tek SciK jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas përfundimit të detyrës.

 

Afati kohor:

Eksperti do të angazhohet për një periudhë prej 4 ditë pune total, brenda periudhës 11 Tetor-30 Nëntor, 2018. Trajnimi është i paraparë të ofrohet në komunën e Prishtinës, me pjesëmarrës nga komuna e Mitrovicës, Klinës dhe Junikut.  

 

Rezultatet e pritura

Eksperti i përzgjedhur për këtë angazhim duhet të ofrojë shërbimet vijuese:

 

·         Zhvillon programin, materialet dhe metodologjinë e trajnimit  dhe të dërgohen paraprakisht për aprovim në SCIK;

·         Përpilon agjendën e trajnimit dhe përgatit materialet shoqëruese të trajnimit për pjesëmarrësit;

·         Përgatit dhe ofron trajnimin sipas agjendës e cila i përmbushë pritshmëritë e pjesëmarrësve;

·         Dorëzon një raport përfundimtar në bazë  të  formatit të SCiK, mbi realizimin e detyrës (përfshirë shënimet nga diskutimet gjatë trajnimit, vlerësimin e efektivitetit të trajnimit, reflektimin mbi përvojën, konkluzionet dhe rekomandimet për përmirësimet në të ardhmen).

 

Detyrat

Ditët

Koha e detyrës

Hartimi i programit trajnues për “Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm”

2 ditë

Tetor

Ofrimi i  trajnimit dy-ditor për “Çrregullimet e spektrit të autizmit dhe kujdesi ndaj fëmijës me autizëm” në Prishtinë me pjesëmarrës nga Mitrovica, Klina dhe Juniku, për ofruesit e shërbimeve shëndetësore dhe palët e tjera të interesit

2  ditë

 

Nëntor

Përpilimi i raportit

0 ditë

Nëntor

Gjithsej

4 ditë

 

 

Afatet kohore janë të negociueshme vetëm nëse pajtohen të dyja palët.

 

Pagesa

Pagesa për këtë angazhim do të realizohet përmes faturës përkatëse me tarifë ditore bruto, nga e cila do të zbriten dhe paguhen sipas Ligjit të Kosovës tatimi mbi të ardhura dhe kontributet pensionale. SCiK do ta bëjë pagesën përmes transferit bankar brenda shtatë (7) ditësh pune, pas pranimit të suksesshëm të raportit për këtë angazhim dhe pas pranimit të kënaqshëm të faturës nga eksperti lokal.

Tarifa e ofruar do të përshijë të gjitha shpenzimet për udhëtim dhe komunikim.

 

Profili i ofruesve të shërbimeve

Eksperti lokal duhet të ketë aftësitë dhe njohuritë themelore vijuese:

·         Nivelin universitar (preferohet grada Master) në psikologji, të drejta të njeriut, punë sociale,arsim, shëndetësi ose fushë të ngjashme në shkenca sociale

·         Ekspertizë e dëshmuar teorike dhe praktike në kërkim dhe dokumentim të praktikave;

·         Aftësi shumë të mira lehtësuese, dhe interaktive;

·         Qasje e dëshmuar udhëzuese dinamike, përshtatëse, për të siguruar se ligjërimi përshtatet sipas diskutimeve që bëhen dhe pyetjeve që shtrohen;

·         Aftësi për të komunikuar për çështje të temave teknike (në formë të shkruar dhe të folur) për persona me njohuri dhe aftësi të ndryshme teknike;

·         Kreativ, i hapur ndaj pikëpamjeve dhe prapavijave diverse dhe që pranon sugjerime;

·         Aftësi për të realizuar angazhimin në kohë dhe me kualitet.

 

Aplikimi

Kandidatët e interesuar ftohen të aplikojnë duke dërguar aplikacionet e tyre në scik@savethechildren.org jo më vonë se 10 Tetor 2018 në ora 12:00 AM.

a.       Propozimi financiar përfshirë ofertën në shumën bruto (para çdo zbritjeje ligjore) për secilën ditë pune. Tarifa e ofruar duhet të përfshijë shpenzimet e udhëtimit dhe të komunikimit;

b.       CV;

c.       Propozim i shkurtër (një faqe) për metodologjinë, strukturën dhe përmbajtjen;

d.       Shembuj të punëve të mëparshme të kompleksitetit të ngjashëm.