KOMUNIKATË PËR MEDIA: Save the Children Kosova/o promovon pikëpamjet e fëmijëve në Kosovë përmes raportit “Zërat e Rinj”

Wednesday 1 June 2022

 

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Save the Children Kosova/o promovon pikëpamjet e fëmijëve në Kosovë  përmes raportit “Zërat e Rinj

Prishtinë, 1 qershor 2022-  Njerëzit që marrin vendime për jetën e fëmijëve në vend – në shkollë, shtëpi dhe komunitet – jo gjithmonë njohin dhe kuptojnë se si ndihen fëmijët dhe çfarë duan ata. Vitin e kaluar, Save the Children zhvilloi  anketën ‘Zërat e Rinj’ nëpër Kosovë, për të iu dhënë mundësinë fëmijëve që të shprehin pikëpamjet e tyre për aspekte si respektimi i të drejtave të fëmijës, siguria, arsimimi, barazia gjinore, ndryshimet klimatike dhe mjedisi, si dhe shkallën e informimit të tyre mbi të drejtat që iu përkasin sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Raporti ‘Zërat e Rinj’ paraqet përspektivat e mbi 1242 fëmijëve të moshave 13–17 vjeç nga 16 komuna të Kosovës. Të dhënat nga ky raport mund të shfrytëzohen nga fëmijët si mjet avokues në diskutimet e tyre me vendimmarrësit, politikbërësit, bartësit e detyrave për të drejtat e fëmijëve, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë drejt respektimit dhe realizimit të të drejtave të fëmijëve  në Kosovë siç përcaktohet në Konventën për të Drejta të Fëmijës (KDF).   Këto të gjetura do të ndahen edhe me akterët tjerë me ndikim në jetën e fëmijëve në Kosovë, në mënyrë që ata të mund ti mbështesin vendimet e tyre në pikëpamjet e drejtpërdrejta të fëmijëve.

 ‘Zërat e Rinj’ tregojnë se:

 

84% e fëmijëve kosovarë mendojnë që është e rëndësishme që politikanët dhe vendimmarrësit të dëgjojnë se çfarë mendojnë fëmijët.

 

“Shumicën e rasteve, fjala jonë nuk është dëgjuar. Politikanët i kanë marrë parasysh nevojat tona vetëm kur ju ka interesu kush po fiton”- vajzë 14 vjecare

43% e fëmijëve kosovarë do të donin t’i shprehnin mendimet e tyre në fushën e arsimit dhe në shkollën e tyre dhe ndihen të aftë për të dhënë njohuritë dhe kontributin e tyre në procesin e vendimmarrjes, ndërsa 23% e fëmijëve do të donin t’i shprehnin mendimet e tyre lidhur me të drejtat e barabarta për djemtë dhe vajzat.

‘’Pjesëmarrja e fëmijëve në nivel komunal është shumë e vogël, e cila është e drejtë e jona që po na mohohet” – vajzë, 15 vjecare

 80% e fëmijëve kosovarë e shohin të ardhmen e tyre në mënyrë pozitive dhe 60% e fëmijëve mendojnë se do të mund të gjejnë punë pasi ta përfundojnë arsimimin.

 

65% e fëmijëve kosovarë deklaruan që Kosova duhet të bëjë më shumë për t’I adresuar ndryshimet klimatike dhe për tu angazhuar në zhvillim të qëndrueshëm.

“Ndotja e mjedisit është normalizuar” – Vajzë 15 vjeçare

35,3% e fëmijëve janë bullizuar apo ngacmuar gjatë këtij viti.

 “Për shkak të bullizmit online nuk kam llogari në rrjete sociale” - vajzë, 14 vjecare

Pothuajse 4 nga 5 fëmijë përjetojnë stres mbi notat.

“Mësimi online ka qenë burim i stresit, sepse ka pasur fëmijë qe nuk i kanë pas kushtet dhe madje kanë marrë nota të dobëta” -djalë, 14 vjecar

70% e fëmijëve raportojnë se janë te trishtuar apo të dëshpëruar.

“Ne shkollën tone nuk kemi psikolog dhe njoh shumë nxënës që kanë probleme po nuk kemi se ku t’i trajtojmë” - vajzë 14 vjecare

 

7 nga 10 fëmijë (67%) konsiderojnë që Kosova duhet të bëjë më shumë për të siguruar praninë e Institucionit të Avokatit të Popullit në çdo komunë.

 

 58% e fëmijëve raportojnë se janë ndjerë të stresuar për notat e tyre, që është niveli më i lartë i stresit që fëmijët e raportojnë dhe është më i lartë në krahasim me Anketën Zërat e Rinj të vitit 2016, kur ishte 50%.

 40% e fëmijëve  deklaruan që gjithmonë marrin ndihmë për detyrat e shkollës në shtëpi, që është përqindje më e lartë krahasuar me rezultatet nga Anketa Zërat e Rinj 2016, kur kjo ishte 33%.

Save the Children Kosova/o, përmes raportit ‘Zërat e Rinj’, konsideron se ndryshimi i vërtetë dhe rrënjësor merr kohë dhe ende mbetet shumë punë për të bërë drejt vendosjes së një baze të qëndrueshme për zbatimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve në Kosovë.

Save the Children Kosova/o angazhohet dhe pret që institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë të gjitha nivelet e ligjvënies dhe qeverisjes, prindërit, familjet, shkollat dhe komunitetet, të krijojnë struktura dhe procedura që iu ndihmojnë t’i marrin mendimet e fëmijëve dhe të sigurojnë që ato do të merren parasysh për të gjitha vendimet me ndikim dhe interesin më të mire në jetën e fëmijëve.

Raporti ‘Zërat e Rinj’ është realizuar përmes një metodologjie hulumtuese rigoroze, e cila përdori një anketë miqësore për fëmije, bazuar në parime themelore mbi mundësinë e fëmijëve për pjesëmarrje të sigurt në hulumtime ndërkombëtare. Anketa është realizuar bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit në Kosovë.  Përfaqësuesit e rreth 11 grupeve të udhëhequra nga fëmijët të themeluara nga Save the Children Kosova/o dhe organizatat partnere të shoqërisë civile kanë validuar përmbajtjen e anketës, para administrimit të saj në 24 shkolla. Kjo është hera e dytë që Zërat e Rinj është duke u realizuar në Kosovë, pasi u publikua për herë të parë në vitin 2016.

Mirëpresim mbulimin e kësaj ngjarjeje dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë për media, ku pjesëmarrës do të jenë përfaqësues institucional, fëmijët përfaqësues të grupeve të udhëhequra nga ta, akterë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të agjencive të ndryshme, si dhe pjesëtarë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.   

Ju faleminderit,

 

Festina Kabashi

Kordinatore për Avokim dhe Fushata

festina.kabashi@savethechildren.org

+38344675489