Save the Children dhe MASHTI lansojnë platformen Arsimi Gjithëpërfshirës në distancë

Tuesday 12 May 2020

Save the Children mbështet Ministrinë e Edukimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lansimin e platformës më të re “Arsimi gjithëpërfshirës” (arsimigjitheperfshires.rks-gov.net), me qëllim të ofrimit të mundësive për zhvillim socio-emocional dhe njohës të fëmijëve me nevoja të veçanta. Platforma ofron aktivitete mësimore për fëmijë dhe materiale ndihmëse për prindër/kujdestarë ligjor, mësimdhënës dhe asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta. 

 

 

Aktivitetet mësimore janë të ndara sipas fushave të kurrikulës dhe fushave të aktiviteteve. Gjithashtu, platforma ofron tema dhe njësi konkrete, materiale didaktike, këshilla, video, udhëzime audio-vizuale, fleta pune dhe fotografi për të gjithë fëmijët bazuar në nivelet dhe aftësitë individuale.Përveç aktiviteteve mësimore, platforma ofron informata dhe materiale ndihmëse lidhur me qasjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, metodat bazike, vlerësimin dhe informata tjera të rëndësishme për zhvillimin social, emocional dhe psiko-fizik të fëmijës. Çdo fëmijë ka karakteristika, interesime, aftësi dhe nevoja individuale për të mësuar, andaj ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë, mundëson ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, përmbushjen e arsimimit për të gjithë dhe mbi të gjitha, përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi.