Save the Children dhe Syri i Vizionit mbajnë konferencën mbi hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës. Kërkohet angazhim e mobilizim ndër-institucional për zbatim të ligjit

Thursday 23 July 2020

Save the Children dhe Syri i Vizionit mbajnë konferencën mbi hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës. Kërkohet angazhim e mobilizim ndër-institucional për zbatim të ligjit

Prishtinë, 23 korrik 2020: Me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, Save the Children, zyra në Kosovë në partneritet më organizatën Syri i Vizionit dhe në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të mirë dhe Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, organizuan një konferencë të përbashkët. Qëllimi i kësaj konference është shenimi dhe promovimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe veprimet që duhen ndërmarrë menjëherë nga institucionet, karshi zbatimit të këtij Ligji.

Gjatë kësaj konference drejtori vendor i Save the Children në Kosovë, z. Ahmet Kryeziu u shpreh shumë i lumtur për hyrjen  në fuqi të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës duke theksuar kontributin e organizatës Save the Children në Kosovë. Sipas z. Kryeziu beri thirrje për përfshirje të fëmijëve në të gjitha proceset ashtuqë zëri i fëmijëve dhe pjesëmarrja e fëmijëve në vendimmarje të garantohet. z. Kryeziu shprehu përkushtimin e Save the Children për të mbështetur implementimin e programin e hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në të gjitha fushat e përcaktuara si: edukimin dhe vetëdijësimin për ligjin, hartimin e akteve nënligjore si dhe në ngritjen e kapaciteteve të insitucioneve.  

‘‘Ne si i Save the Children së bashku me partnerët duhët ti bashkërendisim veprimet tona në mënyrë që ky ligj të jetësohet dhe të iu shërbej të gjithë fëmijëve. Në të njejtën kohë dëshiroj të i falenderoj institucionet, partnerët tanë Syrin e Vizionit dhe grupin e fëmijëve Respect Our Right dhe ti inkurajoj që të vazhdojmë punën në monitorimin dhe zbatimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë’’ përfundoi z.Kryeziu.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë z.Habit Hajredini vlerësoi procesin hartimit të Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës si një proces gjithëpërfshirës që ka përmbajtur në vete konsultim të gjerë të të gjithë akterëve relevant. Sipas Hajredinit ‘si rezultat i angazhimi të të gjithë akterëve si shoqëria civile, grupe të fëmijëve si dhe mirë-koordinim të punës me Komisionin Parlamentar për të Drejta të Njeriut, kemi arritur që për një përiudhë ta finalizojmë Ligjin për Mbrojtje të Fëmijës i cili tani ka hyrë në fuqi. Me tutje z. Hajredini theksoi rëndësinë e mobilizimit të të gjithë akterëve institucional për të punuar në zbatim të këtij ligji.  ‘’Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi me 17 korrik 2020. Ligji rregullon mekanizmat institucional për mbrojtjen e fëmijëve në dy nivele, në nivel qendror dhe atë lokal. Në nivel qendror, do të krijohen trupa të veçantë si, Komiteti nder- ministror për të drejta të fëmijëve dhe Këshilli për Mbrojtje të Fëmijëve, ndersa në atë komunal kërkohet me ligj të krijohen ekipet e punës për të drejta të fëmijëve, si dhe duhet të funksionalizohen Tryezat e Menaxhimit të Rasteve.’ theksoi z.Hajredini.

Ndërkaq, Yll Kosumi, përfaqësues i fëmijëve nga grupi ‘Respect Our Right’ u shpreh i lumtur që shteti i Kosovës ka një Ligj për Mbrojtje të Fëmijëve dhe që fëmijët janë pjesë e takimeve të tilla. Ai ndër të tjera prezentoi edhe pritjet e fëmijëve për këtë ligj: ‘’Pritjet tona si fëmijë janë që ligji të zbatohet në përpikëri dhe shpresojmë që shteti ynë nuk do të ndalet me kaq por do të kontribuoj edhe me tutje në mirëqenien e të gjtihë fëmijëve në Kosovë. Ne si Respect Our Right, do të punojmë vazhdimisht së bashku me mbështetësit tanë si Syri i Vizionit dhe Save the Children si dhe institucionet relevante që ta ngrisim zërin dhe të tregojmë se ne jemi të gatshëm të luftojmë për respektimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve të vendit tonë.’’ tha Kosumi.

Në fund të konferencës u vlerësua e nevojshme se është koha e duhur të bëhet organizimi funksional institucional për të adresuar çështjet së bashku duke maksimizuar ndikimin e politikave, ligjeve dhe programeve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë sidomos ata nga grupet më të cenuara. Save the Children dhe Syri i Vizionit u shprehen të gatshme për të bashkëpunuar me institucionet në zbatim të këtij ligji dhe në të njejtën kohë do ta monitorojnë zbatimin e këtij ligji nga institucionet përgjegjëse.