Save the Children nënshkruan marrëveshje partneriteti me tetë komuna për të vazhduar mbështetjën e edukimit gjatë fëmijërisë së hershme për fëmijët 0-6 vjeç në Kosovë.

Tuesday 21 July 2020

Save the Children nënshkruan marrëveshje partneriteti me tetë komuna për të vazhduar mbështetjën e edukimit gjatë fëmijërisë së hershme për fëmijët 0-6 vjeç në Kosovë.

Prishtinë, 20 korrik 2020: Save the Children ka nënshkuar marreveshje partneriteti me drejtoritë komunale të arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në 8 komuna të Kosovës. Këto marrëveshje partneriteti kanë për qëllim vazhdimin e bashkëpunimit në përmirësimin e qasjes në, dhe cilësisë së shërbimeve të integruara të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme për fëmijët 0-6 vjeç në Kosovë, si përgjigje ndaj kërkesave në rritje.

Ndërhyrjet kryesore do të përfshijnë investimin në themelimin e qendrave të reja të edukimit gjatë fëmijërisë së hershme në pesë fshatra të Kosovës, duke çuar në 15 numrin e qendrave të bashkethemeluara nga Save the Children. Fshatrat ku do të themelohen qendrat e reja janë: fshati Zhegër në komunën e Gjilanit, fshati Nerodime në komunën e Ferizajt, fshati Gllogjan në komunën e Pejës dhe fshatrat Gjonaj & Poslishtë në komunën e Prizrenit.

Themelimi i ketyre qendrave të reja mundësohet përmes projektit 'Zgjerimi i shërbimeve të integruara të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme me bazë në komunitet në Kosovë’ që zbatohet nga Save the Children në Kosovë me mbështetjen e Save the Children Italisë.

Ky është viti i gjashtë që Save the Children përmes programit të saj të Kujdesit dhe Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme ofron mbështetje për djemtë dhe vajzat 0-6 vjeç nga komunitetet me më së paku qasje në edukim gjatë fëmijërisë së hershme në Kosovë. Edhe përgjatë kohës së pandemisë së COVID-19, të gjithë fëmijët që përfitojnë nga shërbimet e dhjetë qendrave ekzistuese të kujdesit dhe zhvillimit në fëmijërinë e hershme u ndihmuan me pako higjenike dhe materiale didaktike si dhe u zhvillua platforma për edukimin e hershëm në distancë.

Save the Children beson se përmes bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse mund ta ngrisim qasjen e fëmijëve në edukim të hershëm ashtu që të gjithë fëmijët, pa dallim, të mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë në Kosovë.